Ja si ta vërtetoni se keni blerë mjaltë origjinal dhe pa kimikate të shtuara
6:35 PM
Mjalti është një nga mrekullitë e natyrës. Ai mbart një sërë përfitimesh shëndetësore dhe për shekuj me rradhë është përdorur si mënyrë alternative për të trajtuar sëmundje të ndryshme. Por të gjitha këto përfitime do t’i merrni nëse mjalti është i papërpunuar dhe nuk ka në përmbajtje të tij ujë, ngjyrues, ëmbëlsues artificial apo kimikate të tjera. Shpesh nëpër dyqane shitet mjaltë “artificial” apo siç quhet ndryshe mjaltë i papastër, ku në përbërje të tij gjenden edhe aditivë, shurup sheqeri, shurup misri, dekstrozë etj. Këta përbërës të shtuar nuk janë aspak të shëndetshëm dhe mund të shkaktojnë probleme në organizëm.
Për të bërë dallimin nëse keni blerë mjaltë të pastër apo artificial do t’ju vijnë në ndihmë këto teste të thjeshta:
Mjalti artificial është në formë më të lëngshme dhe të hollë se mjalti i pastër i cili është më i trashë.
Mjalti artificial zakonisht nuk ka erë, ndërsa mjalti i pastër ka erën karakteristike të tij.
Mjalti artificial ndahet lehtësisht në shtresa, ndërsa mjalti i pastër jo.
Mjalti artificial nuk ngurtësohet me kalimin e kohës, ndërsa mjalti i pastër po.
Testi me shkrepse: në një fije shkrepse vendosni pak mjaltë, nëse fija e shkrepses nuk ndizet atëherë mjalti është artificial sepse ka në përbërje të tij ujë dhe për pasojë nuk e lejon ndezjen e saj, ndërsa mjalti i pastër do të lejonte ndezjen e fijes së shkrepses.
Testi me gishtin e madh: merrni pak mjaltë dhe rrotullojeni mes gishtit të madh dhe gishtit tregues, nëse ai përhapet rreth gishtërinjve është mjaltë artificial, nëse qëndron kompakt dhe i trashë në gisht është mjaltë natyral.
Testi me ujë: shtoni një lugë gjelle mjaltë në një gotë me ujë. Nëse mjalti tretet shpejt në të, ai nuk është i pastër. Nëse ai bie në pjesën e fundit të gotës atëherë ai është mjaltë natyral.
Testi me uthull molle: në një lugë mjaltë shtoni disa pika uthull molle dhe përziejni. Nëse mjalti krijon shkumë ai nuk është i pastër dhe natyral, në të kundërt është mjaltë i pastër.
0 comments