Bleta dhe sëmundjet e saj
9:40 PM
Nga Dr Agim Nelaj
BLETA DHE BLETARI
Mëma, në vetvete, është forca njësuese e bashkësisë; nëse e largojmë nga zgjoi, bletët punëtore do t’ia ndjejnë shumë shpejt mungesën. Pas disa orësh ose dhe më pak, ato shfaqin shenja të pagabueshme të mungesës së një udhëheqjeje. Nuk ju duket ky fakt intrigues?!
Meditoni pak më gjatë. Ju po hyni në botën e bletëve, gjykoni se po i futeni një aventure të mrekullueshme, bletarisë, që do t’ju ndryshojë jetën. Ndikimet do të jenë të menjëhershme e të mirëpritura, sa të vendosni lidhjen e parë me një familje blete. Mbarështimi i bletës nxit ato pjesë të fjetura të pasioneve tuaja; çliron disa zona të të menduarit dhe të të vepruarit pa kahje dhe shtyn në këndvështrime më racionale.
Bletari rishtar, fillimisht, përballet me rrethana të reja, që i duken të mistershme dhe shqetësuese. Vetë nuk mund të kuptojë dhe nuk di çfarë të bëjë tjetër. Është fatmirësi për të, po të ketë pranë dikë që mund ta pyesë. Gjithmonë duhet një udhëheqës, që të të sqarojë kur ti has diçka të pakuptueshme. Por, çuditërisht, gjatë marrëdhënieve të përditshme me bletarët me përvojë, kemi vënë re se edhe ata bëjnë po të njëjtat pyetje; duke u përballur me situata të njëjta, habiten e çoroditen, nuk orientohen si duhet.
Një ditë, Albert Ajnshtajni u vizitua nga një student i tij, i cili i tha:
– I nderuar profesor, pyetjet për provim të këtij viti janë të njëjta si vitin e kaluar!
– Po, – ia ktheu pedagogu, – por këtë vit të gjitha përgjigjet janë të ndryshme.
Bletarëve, sot, mund t’u krijohet ndjesia se ndodhen në një rrethanë të ngjashme. Menaxhimi i bletores, për të qenë i suksesshëm, kërkon punë, kujdes dhe mund të gjatë. Në pranverë mund të kemi rrethana të shkëlqyera dhe bletari parashikon një vit të mbarë. Por, papritur, vërehen humbje familjesh. Rrethanat mbresëlënëse zhduken dalëngadalë. Bletari shikon se situata po i del nga dora, gjendja rëndohet dhe çdo gjë shkon drejt dështimit. Nuk duhet të ligështohet, sado vështirë, ka një rrugëdalje. Zgjidhjen më të saktë mund ta japë vetëm bletari për bletoren e tij. Një bletar që ka dijet e nevojshme, që është i plotësuar, ai është njeriu më i aftë për t’i dhënë zgjidhje. Nuk ka shkencëtar, specialist të mirëfilltë të fushës, që mund ta njohë më mirë se ai familjen e bletëve a bletoren e tij. Çdo familje ka veçanti. Vetëm ai që e ka ndjekur ecurinë, gjendjen, rezervat ushqimore, mbretëreshën, pjelljet, daljen nga dimri, prekjen nga sëmundjet etj., mund të mirëdrejtohet dhe të gjejë rrugëzgjidhje.
Studiuesi, shkencëtari, sjell informacionin më bashkëkohor, që është një vlerë e shtuar dhe e pazëvendësueshme në fushën e bletarisë. Por e rëndësishme është që bletari të ketë aftësinë e njohjes së këtij informacioni, me qëllim që në zgjidhjen e dyzimeve dhe vështirësive të jetë i pajisur me dije të nevojshme.
Duke mbarështuar për një kohë të gjatë bletë, kjo punë e përditshme me to i bën bletarët të përkushtuar, aq sa ka ndër ta që janë të lidhur edhe shpirtërisht me bletët. Ata vazhdojnë të hulumtojnë, për të zbuluar të fshehtat e familjes së bletëve. Këtahobistë, në qendër të vemendjes së tyre kanë mbretëreshën. Ka nga ata që mendojnë se e njohin mirë, ashtu siç ka edhe bletarë që mendojnë se mbretëresha, si dhe gjithë veprimtaria e familjes bletë, i përket një bote misterioze, e pamundur të njihet dhe se mundësia për të vepruar me to është e kufizuar, në mos e pamundur. Në takimet, bletarët pyesin dhe kërkojnë shpjegime për dukuri të zakonshme dhe të përsëritshme, ndonëse syri i tyre kureshtar e vëzhgon natyrën e mbretëreshës dhe marrëdhëniet me pjesëtarët e tjerë të familjes. Në këtë hapësirë, ata vërejnë dukuri befasuese, që lidhen më ligjësi të organizimit të familjes.
Informacioni mbi probleme të caktuara përftohet prej gjykimesh dhe vlerësimesh të hetuara nga një kënd i veçantë vëzhgimi. Secili do të perceptojë, pikërisht, gjëra nga ato që i interesojnë, bazuar në vlerat, bindjet dhe paragjykimet e tij. Bletari, thellë vetes, synon ndryshimin, por sjellja herë-herë flet për të kundërtën. Që të ndryshosh është e vështirë.
Për një periudhë të gjatë të jetës sime profesionale, fati e ka dashur të punoj me bletarinë dhe të njoh shumë bletarë. Në marrëdhënie me ta, ashtu si i kam ndihmuar me njohuritë e mia në këtë fushë, ashtu kam mësuar nga përvoja e tyre e vyer. Çdo bletar është si një institucion më vete; ai ka veçoritë e tij, cilësitë dalluese. Mbarështimi i bletës, krahas kënaqësisë, bart dhe vështirësi. Vështirësia qëndron tek gjasa, se nuk mund të gjykohet dhe të dilet në përfundime në një çast të dhënë. Ajo ka të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen. Në qoftë se nuk e ndjek procesin në vazhdimësi, është e pamundur të japësh një mendim të saktë.
Familja e bletëve, nga jashtë, lë përshtypjen e një fabrike, në të cilën të gjithë pjesëtarët sillen si automatë – robotë, pa mendim të lirë apo vullnet vetjak. Por e vërteta është ndryshe, më e ndërlikuar: bleta punëtore merr pjesë individualisht në sjellje që përfshijnë mbikëqyrje, vendimmarrje dhe udhëheqje.
Për shembull: bletët (kujdestare ose punëtore) “vendosin” se kur duhet të bëjnë ndonjë nga punët e tjera të panumërta, duke përfshirë këtu edhe drejtimin nikoqir të familjes. Ato mund të marrin vendime të tilla si: ndërrimin e mbretëreshës, ndërtimin ose jo të hojeve, sa duhet të jetë madhësia e hojes (punëtore, mashkull apo Mëmë) etj. Bletët punëtore ndodhen edhe para të papriturave, dëmtimeve, humbjeve apo rrënimit të familjes.
Bletarët kërkojnë shpjegime dhe duan të kuptojnë mekanizmin që shkakton rrënimin e një familjeje. Për këtë, mua më nevojitet të gjej duke gërmuar thellë nëpër libra: sjelljen e bletëve, feromonet, mundësinë e sigurimit të ushqimeve, sëmundjet infektive, parazitare, përgjigjen imunitare, efektet negative mjedisore etj. Studimi i thelluar dhe i plotë është një përpjekje që duhet bërë për të kuptuar biologjinë e bletës, disa anë të padukshme të saj, që në bisedat e përditshme quhen “Jeta sekrete e bletëve”. Sa më afër bletëve, aq më pak misterioze do të na duken disa dukuri, të cilat duhen njohur dhe çmuar. Sa më shumë mësojmë për këtë “superorganizëm” që e quajmë familje bletë apo bashkësi, aq më shumë mahnitemi nga dinamika e ndërlikuar që shfaqet brenda zgjoit.
Për të kuptuar të vërtetën sesi “mendon” një familje, duhet të kuptojmë ekonominë e një zgjoi. Ekonomia e bletës ngjason me atë të një shteti të zhvilluar që synon të sigurojë rezerva, duke luftuar që këto pasuri t’i ruajë, t’i mbrojë nga grabitësit, apo të zgjidhë kolapset ekonomike duke kursyer për periudha me mot të rënduar.
Një përshkrim i ekonomisë së familjes pasohet me komunikimin, modelimin dhe sjelljen e anëtarëve të saj, sesi “mendojnë” dhe veprojnë në varësi me ndryshimin e kushteve mjedisore.
E kuptoj që kjo është një ndërmarrje ambicioze, sidomos pasi jam i detyruar të bëj më shumë hulumtime, të kërkoj lëndë, studime, vlerësime, apo të trokas mbi tastierë duke “gërmuar” dhe të kontrolloj parqe bletësh. Jam i mbështetur nga mjaft bletarë, nga vlerësimi i tyre për përpjekjet e mia. Më ka prekur thellë dëshira e shumë bletarëve të mirë, si edhe “uria” e tyre për të shtuar njohuritë rreth kësaj shoqërie me insekte interesantë.
Do të doja ta bëja të qartë, se unë nuk kam ndonjë aftësi të veçantë, për të parashikuar ecurinë e mëtejshme të bletarisë (bletarët e mbarështojnë bletën në kohë të vështira). Dukshëm bletarët po përballen me sfida serioze, që lidhen me përhapjen e sëmundjeve të ndryshme infektive dhe parazitare. Këto, së bashku me ndryshimet klimatike, me zhvillimin e një bujqësie “të pastër” e të ngarkuar me pesticide, si dhe me kultivimin e monokulturave, kanë pasoja në zhvillimin e mëtejshëm të bletarisë. Përvoja shumëvjeçare na mëson se bletët kanë treguar gjithmonë një përshtatje të mahnitshme, gjë që do ta dëshmojnë plotësisht edhe në të ardhme.
Asnjë nuk mund t’u thotë bletarëve: duhet të bëni këtë apo atë. Bletët nuk kërkojnë vetëm “një kuti të thatë dhe shumë bimë mjaltore”. Por ata duhet të përfitojnë nga sensi i përbashkët i mbarështimit të mirë. Sa më shumë të kuptojë bletari ecurinë e ekonomisë të familjes, aq më i saktë do të jetë në vendimet që duhet të marrë. Askush nuk mund të marrë vendime më të mençura menaxhimi në bletoren e tij, sesa mund të marrë vetë i zoti.
Bletari krijon marrëdhënie të tilla me bletët, që të jep përshtypjen sikur bashkëbisedon. Bletaria dhe marrëdhëniet me të janë një fushë, sa e gjerë, aq edhe e thellë, e studiuar dhe e eksperimentuar shumë më vonë, krahasuar me fushat e tjera të bujqësisë dhe blegtorisë. Bleta vazhdon të ngelë tepër intriguese për njeriun; sa më shumë përpiqet njeriu ta studiojë, të njohë të fshehtat dhe jetën e saj, aq më shumë i zmadhohet rrethi i të panjohurave, aq më shumë enigma shtrohen për t’u zgjidhur.
Bleta, në thelbin e vet, është një qenie mbrojtëse, jo sulmuese dhe që shquan për këtë veçori. Bleta ka natyrë të urtë, ajo bëhet agresive vetëm për të ruajtur jetën, familjen. I vetmi zëmërim i verbër vërehet tek mbretëresha e sapodalë, të cilën nevoja për mbijetesë e çon drejt një rivaliteti primitiv, që përfundon me asgjësim.
Me anë të instinkteve, prekjes, nuhatjes, shikimit etj., bleta vendos lidhje me mjedisin; krijon një botë rretheqark. Marrëdhëniet e ndërsjellta me bimësinë zënë e ngjizen qysh në fillesën e jetës së bletës; janë, pra, shumë të hershme dhe vazhdojnë të pandryshuara. Le t’i vëzhgojmë me kujdes raportet në fjalë. Bima jeton vetëm në kuptimin e kufizuar të një qenie të gjallë. Praktikisht, në të ose rreth saj, ekziston jeta. Ne themi se ajo merr frymë, ushqehet, shumëfishohet, por, në të vërtetë, ajo është, thjesht, efekt i proceseve që formojnë një unitet, krahas proceseve mjedisore natyrore, si dita dhe nata, shkëlqimi i diellit dhe toka. Bima vetë nuk mund të jetë dhe të zgjedhë. Ajo nuk zgjedh as pozicionin dhe as ushqimin e saj. Nuk lëviz vetë, por vihet në lëvizje nga era, ngrohtësia dhe drita.
Jeta e bletës është lidhur pazgjidhshmërisht me jetën e palëvizëshme bimore. Bleta, si qenie, ka një epërsi të lindur; ajo ka evoluar shkallë-shkallë, jo vetëm së jashtmi, por dhe së brendshmi.
Bleta, që në fillim të ekzistencës së vet, i ka ndërtuar hojet rreptësisht saktë, ashtu siç bën edhe tani; ashtu do të vazhdojë t’i ndërtojë sa të jetë. Ato i pëkasin asaj, po aq sa ç’i përkasin trajta e krahut, e trupit etj. Jeta e bletëve lëviz lirisht në përgjithësi, por ekzistojnë prirje që janë potencialisht të fjetura. Nuk është e vërtetë që bleta “kujdeset” për pjelljet; kujdesi është një ndjenjë që parakupton vegim mendor për të ardhmen, shqetësim për çfarë do të jetë, pikërisht, ashtu si keqardhja parakupton kujtesën për çfarë ishte.
Veprimtaria e saj e përkujdesjes është, ashtu siç do gjë tjetër e përmendur më sipër, një përgjigje e pandërgjegjëshme ndaj nxitësit, siç gjendet dhe në lloje të tjera të jetës. Kjo është një cilësi e species.
Unë, nëpërmjet shënimeve të mia, synoj t’i shpreh marrëdhëniet me bletët sa më kthjellët, me dashuri dhe me ngjyrime poetike. Bletari, dalëngadalë, i dashuron bletët dhe këtë dashuri e thellon me kalimin e viteve. Bleta të tërheq, të bind, të magjeps, të shtyn drejt shndërrimit. Bletari e bën këtë me aq dashuri e ngrohtësi njerëzore, saqë edhe mes shqetësimesh të pashmangshme, e shoqëron sërish jetën e përditshme të saj.
Shkenca ka studiuar, historikisht, tek bleta materien, (lëndën). Studimi i saj është vetëm sipërfaqja e ekzistencës. Sot, shkenca ka bërë një hap, ka kapërcyer pragun. Ajo, sot, pohon se ekziston energjia, që është një shtresë më e thellë se lënda. Bletari, në marrëdhëniet me botën sekrete të bletëve, nuk e ka të mjaftueshme vetëm të kuptojë.
Bletari e njeh bletën nëpërmjet arsyetimit me mekanizmin e të menduarit. Kjo nuk është aq e thellë, ndërsa marrëdhëniet me bletën kërkojnë diçka tjetër, më të thellë, intuitë, dije. Ka mjaft veprime të bletarit që bëhen në heshtje, që nuk mund të thuhen dhe as të përshkruhen. Edhe vetë bletarin po ta pyesësh më vonë, nuk di çfarë të thotë, ka qenë në një “botë” tjetër. Marrëdhëniet me bletën janë tepër të holla, të ndjeshme. Bleta e “ndjen” bletarin se kur ai punon me kënaqësi dhe kur është i stresuar. E ndjen se kur i bën ai veprimet me përtesë, i tensionuar, apo kur tregon pasiguri. Ajo e “njeh” veprimin e tij, që nga mënyra sesi e hap zgjoin, sesi i lëviz kornizat, sesi e përdor tymësen, si e kontrollon dhe kur e kontrollon.
Marrëdhëniet bletar-bletë nuk janë sipërfaqësore, këtu flitet për t’u kredhur në të panjohurën, lidhet me intuitën. Bleta ta zhvillon atë, kur e njeh mirë jetën e saj. Marrëdhëniet me bletën ngushtojnë humnerën mes teje dhe gjithçkaje në jetë. Bleta të jep mundësi të lidhësh “marrëveshje” me realitetin e vërtetë. Bletari diçka kërkon, diçka dëshiron; jeta vazhdon të jetë zhgënjyese, sepse ajo është ajo që është. “Humbja” në botën e bletëve të qartëson për faktin se nuk është realiteti kundër teje, por ti nuk je në harmoni me të. Bleta të shtyn drejt një kërkimi shpirtëror, që do të thotë të njohësh dhe pjesët negative. Ajo të orienton që ta vlerësosh jetën ashtu siç është. Bleta të nxit të meditosh. Meditimi është diçka më e madhe se të arsyetuarit, ajo është diçka e patreguar, është vetëdije. Nëse Ajnshtajni do të kishte mëtuar ta përcillte dijen, mund ta dëgjoje, por nuk mund ta kuptoje. Dhe, kur nuk kupton, ekzistojnë të gjitha gjasat që të keqkuptosh. Se nga të kuptuarit deri tek të moskuptuarit ndodh një dukuri e ndërmjetme: keqkuptimi.
Bletari që mbarështon prej kohësh bletë, paraqet disa veçori që nuk kanë lidhje me moshën, arsimimin, gjendjen shoqërore-ekonomike, profesionin. Një nga cilësitë tepër të dukshme të një bletari është njeri që dashuron, në kuptimin e mirfilltë të fjalës, çdo gjë në jetë. Bletarët e përballojnë jetën me entusiazëm, me sportivitet. Thjesht, jetojnë çdo rrethanë. Janë të natyrshëm, pranojnë realitetin. Janë të çliruar nga stresi, ankthi. Janë shumë të ndjeshëm, ndonjëherë edhe emocionalë. Në dallim nga të tjerët, ata i gëzohen veprimtarisë së mbarështimit të bletëve, ashtu siç mërziten kur bletët nuk shkojnë mirë. Ata kanë një lloj pavarësie në jetën e tyre. Nuk ankohen për gjëra që nuk janë në gjendje t’i ndryshojnë. U pëlqen natyra, malet, lindja dhe perëndimi i diellit, në përgjithësi fauna dhe flora. Qëndrojnë larg klubeve, argëtimeve, sallave plot tym, tavernave etj. Ata janë njerëz që merren me punën dhe jetën e tyre. Aktiviteti i gjatë, njohja e organizimit të familjes dhe veprimtarisë së përgjithshme të bletëve, ua ka kultivuar sjelljet. Janë njerëz me nivel të lartë energjie, janë kureshtarë. Masë e jetës së tyre është, jo të shmangin vështirësitë, por t’i përballojnë ato. Nëse pengohen në jetë, do të ngrihen, do të shkundin “pluhurin” dhe do të vazhdojnë pa u tërhequr.
Bletari u përket atyre që nuk vrapojnë pas kënaqësive gjithfarësoj; veçmas kënaqësia e lumturia e tyre është shpërblimi prej bletëve.
Përjetimi i një bletari
Ishte hera e parë që i afrohesha një bletoreje. Bletari që më udhëzonte, ishte një profesionist i zoti. Më dha, fillimisht, një leksion që e quajti “etika e sjelljes në një bletore”; kështu u futa në botën e bletëve. Në krye të herës, përfytyroja sikur, për një çast, të isha aq i vogël, saqë të mund ta ndiqja bletën brenda zgjoit; por, përsëri, do ta kisha të vështirë, se është errët, mendova…
… Dëgjoja një zhurmë, që më dukej sikur vinte nga diku larg. Mbështeta kokën tek zgjoi, dëgjoja një si gurgullimë ibriku që valon, një zhurmë gumëzhitjeje po ngjitej lart; ishte zhurma e mijëra bletëve që vënë ajrin në lëvizje. Mbylla sytë, për t’u përqendruar, siç bëjnë njerëzit në koncertin e një orkestre të madhe që luan muzikë klasike. Ma ha mendja, nuk do të quhej e tepruar, po të pohoja se nuk kisha dëgjuar kurrë një harmoni aq të ëmbël. Duhet ta kishit dëgjuar me veshët tuaj, për të kuptuar sesa të përsosura janë intonacioni, ritmi, si dhe ndryshimi i vëllimit të zërit. Isha mbështetur dhe ngjeshur te një kuti gjigante muzikore. Harrova fare se ku ndodhesha, me sytë mbyllur, ishte një ëndërr, që nuk e kisha përjetuar më parë, ndjehesha gati i larguar nga jeta, në gjysmë vetëdije…
Kur më mungon zhurma e bletëve, është njësoj sikur më mungon mërmërima e detit. Nuk isha bërë i ndërgjegjshëm se ndihesha me të aq shumë i sigurt. Qetësia ka një uturimë të çuditshme që gati të çan timpanin e veshit. Njerëzit ende nuk kuptojnë sa të zgjuara janë bletët; edhe më shumë se delfinët…
0 comments