Vdekja e bletëve, fundi ynë?!
4:48 PM
Bletët kanë rëndësi jetike për njerëzimin, pasi siç ka thënë dhe Albert Ajnshtajni: “Pa bletë s’ka pllenim, s’ka fruta, s’ka kafshë, s’ka njerëz”. Dekadat e fundit është vënë re një rënie e ndjeshme në popullatat e bletëve. Përgjegjësinë në rënien e numrit të bletëve e ka njeriu, me ndërhyrjet e gabuara në natyrë që po e dëmtojnë çdo ditë ekosistemin. Prishja e marrëdhënieve natyrore nuk mund të kalojë pa lënë gjurmë, e cila reflektohet edhe tek rënia e numrit të bletëve.
Rënia e numrit të bletëve ndikon edhe në prodhimin e mjaltit, një produkt me vlera mjaft të mëdha ushqyese. Në një intervistë për “Ekolëvizja”, në lidhje me situatën e bletëve në Shqipëri, specialisti i rritjes së bletëve, dr. Agim Nelaj (sekretar shkencor i Agjencisë AJMMI) shprehet se humbjet e bletëve në vendin tonë nuk janë shumë të mëdha në krahasim me vendet e rajonit, por duke qenë se jemi pjesë e një sistemi ekologjik shumë më të gjerë se hapësira e vendit, do të ketë humbje dhe në bletarinë tonë në të ardhmen.
Pesticidet kanë një ndikim mjaft negativ tek bletët, ndaj dr. Nelaj rekomandon një sërë masash që duhen pasur parasysh në drejtim të mbrojtjes së bletëve.
A është shfaqur në Shqipëri sindromi i kolapsit të kolonisë së bletëve?
Për kolapsin është folur gjatë, ka mendime të ndryshme që jo rrallë bien në kundërshti. A ka shfaqje të kolapsit në vendin tonë? Ende nuk ka një studim të saktë, apo të dhëna bindëse nëse shfaqet ose jo. Në përgjithësi, tek ne, parqet e bletëve janë të kufizuar; shumica e bletarëve tanë janë amatorë, me pak familje bletësh. Ndaj humbjet nuk krijojnë një shqetësim kombëtar.
Cilat janë shkaqet që kanë çuar në kolapsin e bletëve?
Ekzistojnë mjaft studime dhe eksperimentime, të cilat hedhin dritë mbi faktorët negativë dhe mbi rrugët e parandalimit të tyre. Shkaqet e mundshme që kanë çuar në kolapsin e bletëve janë dhjetë.
1. Mungesa në cilësinë e të ushqyerit. Bletës së larguar tashmë nga shumëllojshmëritë e luleve në habitatin e saj, duke mos gëzuar më një larmi të nektarit dhe polenit nga burime lulërie spontane, i shkaktohet një stres me rrjedhoja. Bletët po shfrytëzohen gjithnjë e më shumë komercialisht.
2. Pesticidet. Luftimi i një lloji insekti kërkon patjetër përdorimin e pesticideve si një mundësi. Efekti negativ i përdorimit të tyre lë pasoja, prandaj dhe kolapsi i bletëve nuk bën përjashtim. Bletarët janë veçanërisht të shqetësuar për lidhjen e mundshme mes kolapsit dhe pesticidit neonicotinoids, apo pesticidit me lëndë bazë nikotinën. Një pesticid i tillë, imidacloprid, është i njohur për ndikimin e tij tek insektet në mënyra të ngjashme me simptomat e kolapsit. Identifikimi i tij ka të ngjarë të kërkojë studime të mbetjeve të pesticideve në mjaltë ose në polen, në zgjoin e braktisur nga familjet e prekura.
3. Prodhimet bujqësore të modifikuara gjenetikisht .Një tjetër i dyshuar në këtë rast është poleni i bimëve të modifikuara gjenetikisht, veçanërisht poleni i misrit, ku janë gjetur toksina BT (Bacillus thuringiensis)
4. Bletaria migratore pllenuese. Bletarë komercialë i japin me qira zgjojet e tyre në ferma, për të pllenuar kultura të veçanta të mjaltit.
5. Mungesa e biodiversitetit gjenetik. Pothuajse të gjitha mbretëreshat e më pas, të gjithë bletët punëtore dhe meshkujt, rrjedhin nga mbretëresha të racave të ndryshme. Kjo pishinë e kufizuar gjenetike mund të degradojë.
6. Praktikat në bletari. Të dhënat që ofrojnë bletarët na japin mundësinë që të përcaktojmë prirjet e tyre. Sa janë ata përgjegjës në dukurinë e zhdukjes së familjeve?
7. Parazitët dhe patogjenët. Disa dyshojnë se ato mund t’i bëjnë bletët më të ndjeshme. Bletarët kanë frikë nga rriqnat varroa, sepse ato veç dëmit të drejtpërdrejtë si parazitë, përcjellin viruse. Kimikatet e përdorur për të kontrolluar varroan nuk janë miqësorë me shëndetin e bletëve.
8. Toksina dhe helme në mjedis. Ekspozimi i bletëve me toksina në mjedisin e zgjoit ose jashtë tij.
9. Rrezatimi elektromagnetik. Kjo teori është diskutuar gjerësisht. Raportimi i teorisë së telefonave celularë mund të jetë një arsye për ta fajësuar atë mbi kolapsin.
10. Rritja e temperaturave globale shkakton një reaksion zinxhir përmes ekosistemit.
Duke qenë se tek ne parqet e bletëve janë të kufizuara, humbjet nuk krijojnë një shqetësim kombëtar. Gjithsesi, ne jemi pjesë e një sistemi ekologjik shumë më të gjerë se hapësira e vendit tonë. Fakti që shtetet në afërsi kanë pasur shqetësime nga humbjet e bletëve, do të thotë se edhe tek ne në të ardhmen ky do të jetë problem serioz për bletarinë. Përvoja jonë shumëvjeçare, si dhe të dhënat e disa bletarëve nga zona të ndryshme të vendit, dëshmojnë se tek ne ka pasur dhe ka raste të kolapsit, por përmasat e kësaj dukurie në vendin tonë nuk mund të krahasohen me shfaqjet e kolapsit në SHBA, Angli, Francë, Gjermani, Spanjë etj. Kjo, për dy arsye:
Së pari: atje shfaqja masive e kolapsit preku kompanitë e mëdha shtegtuese.
Së dyti: në ato vende pati një ndikim të menjëhershëm në pjalmimin e kulturave bujqësore, që varen kryesisht nga bletaria.
Kjo solli humbje të miliarda dollarëve brenda një kohe krahasimisht të shkurtër dhe kjo gjendje u bë shqetësuese, jo vetëm për institucionet kërkimore e shkencore, por edhe për qeveritë e këtyre vendeve.
BE ka ndaluar 3 pesticide qe vrasin bletët, të quajtura ndryshe Neonikotinoide. Çfarë masash të tjera mund të ndërmerren për të mbrojtur bletët?
Shumica e helmimeve të mëdha ndodhin kur bimët janë në lulëzim. Gjithsesi, bletët mund t’i mbrojmë me këto mënyra:
– Duke përdorur pesticide vetëm kur është e nevojshme.
– Duke mos përdorur pesticide ndërsa bimët janë në lulëzim.
– Duke i përdorur insekticidet vetëm kur bimët e synuara janë në fazën e burbuqes ose vetëm pasi petalet kanë rënë.
– Duke i përdorur pesticidet kur bletët nuk janë në pikun e fluturimit (bletët e arrijnë kulmin e fluturimit kur temperatura e ajrit është mbi 13-15°C. Janë më aktive nga ora 8:00-17:00.
– Duke i bërë spërkatjet pasdite, kur puna e bletëve bie ndjeshëm, mundësisht para mbrëmjes (gjatë natës pjesërisht kimikatet zbërthehen).
– Duke mbrojtur ujin nga ndotja. Bletët kanë nevojë për sasi të bollshme uji, për ftohjen e zgjoit, ushqimin e pjelljeve etj.
– Në varësi të rrethanave, përdoruesi i kimikateve mund të zgjedhë përbërës dhe dozë më pak helmuese.
Insekticidet e reja (të mikrokapsuluara) janë shumë më tepër helmuese për bletët se çdo përbërës tjetër deri më tani.
– Përdorimet në formë pluhuri janë më të rrezikshëm sesa përbërësit e lëngshëm.
– Lajmërimi i bletarëve. Bletarët njoftohen paraprakisht. Familjet mund të lëvizin në një vend tjetër.
Çfarë rekomandoni se duhet të bëjë shteti ynë për të mbrojtur bletët?
Institucionet duhet të përfshijnë në politikat zhvillimore edhe mbarshtimin e bletëve, problemet dhe masat mbrojtëse. Kërkohet një bashkërendim midis zhvillimit të bujqësisë “të pastër” dhe bletarisë. Kjo duhet të realizohet me vendime, akte nënligjore. Të dilet nga spontaniteti në zhvillimin e bletarisë, si dhe bletaria të trajtohet, si dhe kafshët e tjera shtëpiake, për të cilat ka programe parambrojtëse.
0 comments