ROITJA NATYRALE E BLETEVE

5:49 PM

Roitja (natyrale) e bletëve paraqet procesin dhe menyrën e shtimit natyral të shoqërive (kolonive) të bletëve dhe ruajtjes së llojt të tyre. Kjo më se shpeshti ndodh në pranverë, kur natyra ofron kushte te volitshme dhe shoqëritë e bleteve arrijnë kulmin e zhvillimit te tyre. Si zakonisht dëshira për roitje te bletët shfaqet gjatë kullotes kryesore, gjatë muajve maj dhe qershorë. Faktorët që sjellin deri te roitja e bleteve janë numri i i shtuar i bletëve te reja te paangazhuara ne koshere, hapësira e vogel dhe e kufizuar në koshere si dhe vetë deshira dhe instinkti i kolonisë së bletëve për të ruajtur dhe shtuar llojin.

Bletët, veçanërisht ato të reja, ne skajet e hojeve ndërtojnë një numër të konsiderueshëm të amëzorëve (matkorëve, fshikave të amës), por jo në të njejtën kohë. Këto amëzorë të formuar gjatë kohës së roitjes natyrale të bletëve janë një ndër amëzorët më kualitativ. 

Pas mbylljes së amëzorëve, në tërë shoqërinë (koloninë) e bletëve shfaqet nje gjendje e re – tendenca e vërtetë për t’u roitur. Vërehet zvogëlimi i aktivitetit të bletëve. Një numër i madh i tyre (veçanërisht bletët e reja - kujdestare) grumbullohen jashtë, në hyrjen e kosheres, por edhe në pjesët e brendshme të kosheres, duke u varur në formë të mjekrrës apo kalaveshit të rrushit. 

Bletët me kalimin e kohës gjithnjë e më pak e ushqejnë matkën me qumësht dhe si pasojë kemi zvogëlimin e pjelljes së vezëve e njëkohësisht edhe dobësimin e amës në peshë (matka lehtësohet) duke e përgaditur kështu për fluturim në distanca më të mëdha. Bletët punëtore, të cilat vijnë të ngarkuara me pjalm (polen), nuk futen menjëherë në koshere, por qëndrojnë një kohë më të gjatë para hyrjes (në verandë-pistë) dhe më pas futen brenda në zgjua. Disa bletë tjera instinktivisht tentojnë të bëjnë zmadhimin e portës duke e gërryer atë, për t’a lehtësuar kështu sipas tyre, daljen e roit nga kosherja gjatë aktit të roitjes.



Disa ditë pas mbylljes së amëzorëve, aty kah mesdita (nga ora 10-14), kur moti është i ngrohtë , me diell dhe i qetë, bletët të cilat paraprakisht janë ushqyer intenzivisht dhe kanë ngopur barkun, fillojnë të roiten, duke dalë njëra pas tjetrës si lum nga kosherja. Është mjaft karakteristike zukama e këtyre bletëve në ajër. Gjatë këtij akti, kosheren e lëshojnë gjysma e bletëve, disa qindra brumbuj (meshkuj) dhe sigurisht bashkë me to edhe matka. Është interesante se roit i bashkangjiten edhe bletët (bletët e kullotës) e zgjuave tjera që gjinden aty pranë, të cilat në atë moment fluturojnë në bletore. Pas një kohe të shkurtër bletët fillojnë të grumbullohen dhe ngjiten diku aty afër në bletore në ndonjë objekt (degë peme, etj.) në formë të tufës (vilës) apo lëmshit. Pas grumbullimit roi qetësohet. Disa bletë të quajtura si bletët vëzhguese (kërkuese) vëzhgojnë dhe janë në kërkim të gjetjes së banesës së re. Kur e gjejnë atë, kthehen e lajmërojnë roin dhe sëbashku nisen në fluturim për në banesën e tyre të re ku do të krijojnë folenë e tyre të re. 

Nëqoftëse para roitjes moti përkeqësohet dhe kjo zgjat disa ditë, bletët atëherë i mundësojnë matkës që t’i shkatërrojë amëzorët e mbyllur e njëkohësisht edhe t’i mbysë matkat e reja. Por, nëqoftëse përkeqësimi i motit nuk zgjat shumë, në këtë rast bletët nuk e lejojnë matkën t’i shkatërrojë të gjitha amëzorët.

Nëqoftëse moti vazhdon të mbajë i ngrohtë me diell dhe i qetë dhe sigurisht nëqoftëse te bletët nuk është shuar dëshira për roitje të mëtejshme, 7-9 pas roitjes së parë, bletët sërish roiten. Ky roi quhet roi i dytë dhe kryesisht është i përbërë nga bletë të reja dhe me amë të re të pafekonduar (pambarësuar). Pas lindjes së amës së parë, bletët e reja (dado) me bollëk e ushqejnë atë, por nuk i lejojnë që ti shkatërrojë dhe mbys amëzorët dhe matkat tjera që ende gjinden në amëzorë. Në raste të tilla matka kohë pas kohe lëshon disa tinguj të zgjatur: “tiii-tiii-tiii”, të cilëve matkat ende të palindura nga matkorët i përgjigjen në të njejtën mënyrë, por tani me “kuaa, kuaa, kuaa”. Nëse në këto çaste gjindemi në bletore dhe afër kosheres, lehtë mundet t’i degjojmë këta tinguj. Këta tinguj njihen si kënga e matkave.

Si zakonisht roi i dytë me vete ka me tepër ama të pafekonduara dhe për këtë arsye i njejti gjatë fluturimit mund të ndahet në me tepër roie të vogla, të cilët pas një kohe përsëri bashkohen. Për dallim nga roi i parë i cili vendoset aty afër ose në bletore, roi i dytë i tretë, etj. ka gjasa të largojë më shumë nga bletorja dhe kosherja e tyre e vjetër. Poashtu këta roie nuk janë shumë të ndjeshëm ndaj kushteve të mjedisit.

Rrallë, por ndodh që edhe roi i parë të roitet. Këto roie janë të njohur edhe si roie apo bletë e bardhë. I kanë sjelljet e njejta sikur roi i dytë dhe i tretë.

You Might Also Like

0 comments

Translate